LISTEN & WATCH

Season 3 | ThinkBig

Sezoni i Tretë i Think Big vjen më i fuqishëm se kurrë, duke sjellë histori të reja suksesi dhe ide inovative që do të nxisin jo vetëm sipërmarrësit e rinj, por edhe ata me përvojë! Me fokus në frymëzimin dhe zhvillimin personal, sezoni i tretë do të eksplorojë shembuj të jashtëzakonshëm të biznesit të suksesshëm nga fusha të ndryshme, duke i shtyrë shikuesit të mendojnë në mënyrë strategjike dhe të përqafojnë risitë. Ky sezon do të përfshijë një gamë të zgjeruar temash, nga teknologjia e re, marketingu dixhital, deri tek mënyrat më efektive për të ndërtuar dhe menaxhuar një biznes. Gjithashtu, do të ofrojë këshilla praktike për përballimin e sfidave dhe kapërcimin e barrierave në botën e sipërmarrjes. Think Big jo vetëm që frymëzon, por gjithashtu i sfidon shikuesit të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të ndërtojnë një mendësi të orientuar drejt suksesit. Sezoni i tretë është një thirrje për të gjithë ata që duan të ndryshojnë lojën e tyre, të mendojnë më gjerë dhe të veprojnë me vendosmëri! Bashkohuni me ne dhe përjetoni rrugën drejt suksesit me Think Big, Sezoni i Tretë!

Season 3 | ThinkBig

Episodes |
Season 3

See More Episodes

Episodi 2: “Think Big” me Erion Yzeiri nga Vitalux – Sipërmarrja nuk është për të gjithë!

By Bussiness Magazine

Episodi i dytë i sezonit të tretë të “Think Big” jo vetëm që trajtoi industrinë e ndriçimit, por sepse tregoi qartë se si një ide spontane, një dëshirë e brendshme dhe një guxim i sinqertë për të dalë nga rruga e zakonshme, mund të ndërtojnë një histori suksesi që ndriçon më larg se çdo reflektor. Erion Yzeiri, themeluesi i Vitalux, është shembulli perfekt i dikujt që nuk u përmbajt nga frika se “nuk e njihte fushën”, por përkundrazi e ktheu atë mungesë njohurish në një pikënisje për të mësuar, ndërtuar dhe krijuar një biznes që sot është ndër liderët e tregut shqiptar të ndriçimit. “E them me sinqeritet, kur nisa Vitalux mendova se e njihja këtë industri, por realisht nuk e njihja fare. Kisha punuar në pozicione drejtuese më parë, por ndjeva që aftësitë e mia duhej t’i provoja në diçka që ishte plotësisht e imja. Doja të ndërtoja një vizion, jo thjesht të ndjekja një rrugë që ishte e përcaktuar nga të tjerët”, shprehet Erioni. Ky episod u xhirua në një prej projekteve më të veçanta që kompania e tij ka realizuar: një vilë fantastike në San Pietro, ku çdo element ndriçimi, çdo detaj i konceptit është menduar për të reflektuar qetësinë që sjell deti përballë. “Kjo vilë për mua është më shumë se një projekt. Donim të sillnim qetësinë që të jep deti brenda shtëpisë – ndriçimi nuk është vetëm teknik, është emocional. Ai krijon ndjesi. Dhe këtu donim të sillnim diçka të thjeshtë, minimaliste, por jashtëzakonisht relaksuese”. Vitalux, e themeluar në vitin 2016, është tashmë distributori zyrtar i disa prej markave më prestigjioze ndërkombëtare si GE Lighting, Meanwell, Sylvania Lighting dhe shumë të tjera. Por sipas Erionit, nuk janë emrat e mëdhenj që e bëjnë një kompani të suksesshme, por mënyra se si ti i qasesh çdo projekti, çdo bashkëpunimi dhe çdo sfide. “Ne nuk jemi thjesht një kompani që shet ndriçim. Ne japim zgjidhje. Këshillim, dizajn teknik, zbatim dhe mirëmbajtje. Por mbi të gjitha, jemi bashkëpunues. Punojmë në sinergji të plotë me arkitektë, inxhinierë, dizajnerë dhe klientët tanë, çdo projekt është i përbashkët. Lexo edhe:Episodi i dytë i Think Big sjell në fokus Vitalux, kompaninë me pasionin për ndriçimin!” Puna e Vitalux nuk është më vetëm në Shqipëri dhe ky episod shpalos për herë të parë edhe një tjetër moment shumë të veçantë për kompaninë: hyrjen në tregun zviceran. “Një nga projektet më të veçanta që kemi realizuar është në Zvicër. Për ne, futja në një treg si ky është jashtëzakonisht domethënëse. Jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të kërkesave teknike, por sepse tregon që ne jemi gati për të konkurruar kudo, me standarde të larta dhe me dinjitet.”Erioni nuk e subjektivizon sipërmarrjen. Përkundrazi, ai flet me shumë realizëm dhe sinqeritet për sfidat që sjell ky rrugëtim. “Mendoj që sipërmarrja nuk është për të gjithë. Ka shumë njerëz që janë më të lumtur duke punuar për dikë tjetër, ndihen komod aty – dhe kjo është krejtësisht në rregull. Por nëse e ndjen që ke dëshirë të marrësh diçka përsipër vetë, nëse ke energji, pasion, dhe kuriozitet, atëherë mos prit që gjërat të bëhen perfekte. Sepse ai moment nuk do të vijë kurrë. Do kalojnë vitet, dhe do shohësh që nuk e ke bërë kurrë realitet. Ajo që unë do i thoja çdo të riu është: bëj një plan të thjeshtë dhe hidh hapin. Vepro. Nëse do përdorja vetëm një fjalë për sipërmarrjen, ajo do ishte ‘ACTION’. Sepse pa veprim, çdo ide mbetet vetëm ide.” Në këtë episod të “Think Big”, ai jo vetëm ndau rrugëtimin e tij, por dha edhe një pasqyrë të qartë të realitetit të të bërit biznes me integritet, me pasion dhe me vizion. Vitalux është dëshmi se suksesi nuk vjen vetëm nga njohuritë teknike, por nga përkushtimi, respekti për partneritetet dhe dashuria për atë që bën. “Për mua dhe për stafin tim, Vitalux përfaqëson mënyrën e duhur të të bërit biznes. Ne besojmë në punën e ndershme, në cilësinë që zgjat dhe në bashkëpunimin që ndërton ura. ”Episodi i dytë i “Think Big”, tashmë i publikuar në kanalet sociale të BusinessMag Albania, është më shumë se një episod për një kompani ndriçimi, është një ftesë për reflektim, për guxim dhe për veprim. Është një histori e ndriçuar nga përvoja, nga pasioni dhe nga besimi se suksesi ndërtohet hap pas hapi, por vetëm nëse guxon të bësh hapin e parë!

More Episodes

Episodi 3 “Think Big” me Genti Selenica (Baboon Delivery)

By Bussiness Magazine

Kur të gjithë mendonin se Shqipëria nuk ishte gati për një aplikacion delivery, Genti Selenica vendosi të provojë të kundërtën. Baboon nuk është më thjesht një aplikacion – është një mënyrë jetese që kombinon teknologjinë, shpejtësinë dhe pasionin për të bërë gjërat ndryshe. Pas çdo porosie që merr, fshihet një sistem inteligjent që punon në heshtje për të sjellë shërbim cilësor dhe të shpejtë. Një ekip i ri, një vizion i qartë dhe shumë guxim – kjo është Baboon. Nëse ke porositur ndonjëherë ushqim në Tiranë, ka shumë mundësi që Baboon ta ketë sjellë në derën tënde. Por pas këtij shërbimi që duket i thjeshtë, fshihet një histori pasioni, inovacioni dhe vizioni afatgjatë. “Kur je i ri, nuk do t’ja dish për asgjë – thjesht e nis,” thotë Genti Selenica, themelues dhe CEO i Baboon, në episodin e tretë të Think Big, transmetuar nga Business Magazine. Dhe kjo është ndoshta fjalia që përmbledh më mirë shpirtin me të cilin nisi rrugëtimi i një prej kompanive më të suksesshme shqiptare në fushën e teknologjisë. Një histori e lindur nga dëshira për të ndërtuar diçka ndryshe, për ta bërë në Shqipëri dhe për ta ngritur me forcat vetjake. “Doja një sfidë të re. S’e dija saktësisht se çfarë, por doja ta bëja këtu,” rrëfen ai, ndërsa tregon se si në fillim idetë e tij nuk u pritën me optimizëm nga restorantet. “Na shikonin me dyshim. S’u pëlqente ideja e një sistemi të ri. Por ne i thamë: ne do të ndryshojmë mënyrën si ju merrni porositë, do të keni më shumë, më lirë dhe më shpejt.” Baboon nuk është më një aplikacion i thjeshtë për porosi. “Është një mënyrë jetese,” thotë Genti. Një ekosistem i ndërtuar me kujdes, që funksionon si një qytet inteligjent në miniaturë. Në sipërfaqe, duket e thjeshtë , zgjedh ushqimin, porosit, pret. Por pas kuintave është një “orkestër moderne” teknologjike, ku algoritmet llogarisin në sekonda rrugën më të shkurtër, restorantin më efikas dhe korrierin më të afërt. Sistemi i ndërlikuar dhe bashkëpunimi i pandërprerë midis komponentëve, restorant, korrier, konsumator, janë themeli i suksesit. “Klientët nuk duan vetëm ushqim. Duan kohë. Duan cilësi. Duan çdo gjë në vendin e vet. Ne menduam për biznesin, jo vetëm për konsumatorin,” shton ai. Por kjo nuk do të ishte e mundur pa një ekip të përkushtuar . Iris Toska, menaxhere logjistike, thekson: “Një nga pikat tona më të forta është ndërveprimi midis ekipeve. Secili e ka të qartë rolin e tij dhe jemi shumë të rinj në skuadër, çka na lejon të përshtatemi shpejt me çdo trend, çdo zhvillim.” Xhois Kuta, menaxhere e përmbajtjes digjitale, rrëfen se e njohu Baboon përmes familjes dhe u tërhoq nga fakti që ishte një brand autentik shqiptar. “Gjithmonë kam dashur të mbështes brande shqiptare. Këtu çdo ditë ka sfida. Por ka edhe një vizion të qartë që na bashkon të gjithëve,” thotë ajo. Nga ana tjetër, Alban Kosova, CTO i kompanisë, ndan se si gjatë tre viteve të fundit kanë bërë përditësime rrënjësore të sistemeve për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje. “Kemi kaluar nga B2C edhe në një model të ri, ‘Baboon at Work’, që u shërben kompanive që duan ushqimin në zyrë. Kjo është një lëvizje e natyrshme për një startup që njeh tregun e vet,” tregon ai. Por rruga nuk ka qenë e shtruar me lule. “Para tërmetit dhe pandemisë ishim shumë mirë. U lançuam në Durrës, Vlorë, Kosovë. Më pas, gjithçka ndryshoi. Na u desh të tërhiqeshim. Pastaj erdhi pandemia, një mur gjigant për t’u kaluar,” kujton Genti. Zgjidhja? Vullnet dhe vendosmëri. “Shkova tek institucionet me ide të qarta. U thashë se kudo tjetër delivery po funksiononte dhe ata më kuptuan.” Sot, Baboon është një histori suksesi që ka lindur në një treg skeptik, ka mbijetuar në krizë dhe ka lulëzuar falë një vizioni të qartë dhe një strategjie rigoroze. “Shumica e startupeve fillojnë me marketing. Ne ndërtuam teknologjinë. Dinim sa para duhej për çdo veprim, kush ishin aktorët, sa i madh ishte tregu, cilat ishin rreziqet,” shpjegon ai. Mesazhi i tij për të rinjtë është i drejtëpërdrejtë: “Në Shqipëri i ke të gjitha mundësitë. Më mirë bëj diçka kot sesa rri kot. Mësoni një gjë që doni dhe bëjeni këtu. Gabimet më të mëdha në startup bëhen me njerëzit , zgjidhni mirë ekipin, kini kujdes me financat, aplikoni strategjitë me përpikmëri.” Ky ishte një udhëtim frymëzues në mendjen dhe zemrën e një sipërmarrësi që guxoi, humbi, fitoi dhe mbi të gjitha, besoi. Një histori që frymëzon, sfidon dhe motivon çdo të ri që dëshiron të ndërtojë diçka me vlerë, pikërisht këtu, në Shqipëri. Ndiq episodin e plotë të “Think Big” me Genti Selenicën dhe zbulo rrugëtimin pas suksesit!

More Episodes

Tirana | Nov. 7, 2024

AllWeb 2024

Konferenca vjetore për çështjet digjitale po vjen me edicionin e saj të 15-të, të 7-in në Tiranë. Ajo do të fokusohet në tregjet rajonale, bizneset dhe tendencat shoqërore që po formësojnë ekonominë digjitale. Ekspertë nga komunikimi, marketingu dhe teknologjia do të diskutojnë tema kyçe për të ardhmen. Mos e humbni këtë ngjarje prestigjioze më 7 nëntor në Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë.

AllWeb Conference Albania