Historia e Baboon Delivery si startup-i i parë shqiptar i shpërndarjes së ushqimit.
• Baboon si simbol i vizionit dhe këmbënguljes.
• Krijimi i sistemit funksional të shpërndarjes në treg të vështirë.
• Fokus te inovacioni dhe udhëheqja në tregun shqiptar.
Procesi i menaxhimit të porosive dhe shpërndarjes në praktikë.
• Rëndësia e sistemeve të organizuara në biznes.
• Nga porosia te kuzhina, deri tek dërgesa.
• Roli i komunikimit midis shoferëve, restoranteve dhe klientëve.
Origjina e Baboon dhe strategjitë menaxheriale të kompanisë.
• Frymëzimi nga përvoja në Itali.
• Tendencat e startup-eve dhe evolucioni i tyre.
• Krijimi i diçkaje me ndikim në tregun shqiptar.
Zhvillimi i produktit dhe rëndësia e ofertës së vlerës përpara hyrjes në treg.
• Testimi i aplikacionit dhe reagimet e tregut.
• Fokusi te ndërtimi i teknologjisë dhe strategjive të financimit.
Sfidat e tërmetit dhe pandemisë për komunitetin dhe bizneset.
• Rënia drastike e të ardhurave dhe ndalimi i porosive.
• Vendime të vështira për të mbijetuar si biznes.
Zgjerimi i tregut dhe integrimi i teknologjive të reja në ushqim.
• Rritja e tregut dhe arritja e partneriteteve të suksesshme.
• Algoritme që përmirësojnë shpërndarjen dhe menaxhimin e kostove.
Përmirësimi i efikasitetit përmes digjitalizimit të pagesave.
• Plani automatik i porosive dhe kalimi në tregun B2B.
• Baboo Network lidh kompani me restorante të shumta.
Transformimi i sistemit të pagesave dhe ndikimi në kohën e përpunimit të porosive.
• Pagesat online dhe mbledhja e cash-it e përmirësuar.
• Reduktimi i kohës së përpunimit dhe përdorimi i algoritmeve të rinj.
Kur të gjithë mendonin se Shqipëria nuk ishte gati për një aplikacion delivery, Genti Selenica vendosi të provojë të kundërtën. Baboon nuk është më thjesht një aplikacion – është një mënyrë jetese që kombinon teknologjinë, shpejtësinë dhe pasionin për të bërë gjërat ndryshe. Pas çdo porosie që merr, fshihet një sistem inteligjent që punon në heshtje për të sjellë shërbim cilësor dhe të shpejtë. Një ekip i ri, një vizion i qartë dhe shumë guxim – kjo është Baboon. Nëse ke porositur ndonjëherë ushqim në Tiranë, ka shumë mundësi që Baboon ta ketë sjellë në derën tënde. Por pas këtij shërbimi që duket i thjeshtë, fshihet një histori pasioni, inovacioni dhe vizioni afatgjatë. “Kur je i ri, nuk do t’ja dish për asgjë – thjesht e nis,” thotë Genti Selenica, themelues dhe CEO i Baboon, në episodin e tretë të Think Big, transmetuar nga Business Magazine. Dhe kjo është ndoshta fjalia që përmbledh më mirë shpirtin me të cilin nisi rrugëtimi i një prej kompanive më të suksesshme shqiptare në fushën e teknologjisë. Një histori e lindur nga dëshira për të ndërtuar diçka ndryshe, për ta bërë në Shqipëri dhe për ta ngritur me forcat vetjake. “Doja një sfidë të re. S’e dija saktësisht se çfarë, por doja ta bëja këtu,” rrëfen ai, ndërsa tregon se si në fillim idetë e tij nuk u pritën me optimizëm nga restorantet. “Na shikonin me dyshim. S’u pëlqente ideja e një sistemi të ri. Por ne i thamë: ne do të ndryshojmë mënyrën si ju merrni porositë, do të keni më shumë, më lirë dhe më shpejt.” Baboon nuk është më një aplikacion i thjeshtë për porosi. “Është një mënyrë jetese,” thotë Genti. Një ekosistem i ndërtuar me kujdes, që funksionon si një qytet inteligjent në miniaturë. Në sipërfaqe, duket e thjeshtë , zgjedh ushqimin, porosit, pret. Por pas kuintave është një “orkestër moderne” teknologjike, ku algoritmet llogarisin në sekonda rrugën më të shkurtër, restorantin më efikas dhe korrierin më të afërt. Sistemi i ndërlikuar dhe bashkëpunimi i pandërprerë midis komponentëve, restorant, korrier, konsumator, janë themeli i suksesit. “Klientët nuk duan vetëm ushqim. Duan kohë. Duan cilësi. Duan çdo gjë në vendin e vet. Ne menduam për biznesin, jo vetëm për konsumatorin,” shton ai. Por kjo nuk do të ishte e mundur pa një ekip të përkushtuar . Iris Toska, menaxhere logjistike, thekson: “Një nga pikat tona më të forta është ndërveprimi midis ekipeve. Secili e ka të qartë rolin e tij dhe jemi shumë të rinj në skuadër, çka na lejon të përshtatemi shpejt me çdo trend, çdo zhvillim.” Xhois Kuta, menaxhere e përmbajtjes digjitale, rrëfen se e njohu Baboon përmes familjes dhe u tërhoq nga fakti që ishte një brand autentik shqiptar. “Gjithmonë kam dashur të mbështes brande shqiptare. Këtu çdo ditë ka sfida. Por ka edhe një vizion të qartë që na bashkon të gjithëve,” thotë ajo. Nga ana tjetër, Alban Kosova, CTO i kompanisë, ndan se si gjatë tre viteve të fundit kanë bërë përditësime rrënjësore të sistemeve për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje. “Kemi kaluar nga B2C edhe në një model të ri, ‘Baboon at Work’, që u shërben kompanive që duan ushqimin në zyrë. Kjo është një lëvizje e natyrshme për një startup që njeh tregun e vet,” tregon ai. Por rruga nuk ka qenë e shtruar me lule. “Para tërmetit dhe pandemisë ishim shumë mirë. U lançuam në Durrës, Vlorë, Kosovë. Më pas, gjithçka ndryshoi. Na u desh të tërhiqeshim. Pastaj erdhi pandemia, një mur gjigant për t’u kaluar,” kujton Genti. Zgjidhja? Vullnet dhe vendosmëri. “Shkova tek institucionet me ide të qarta. U thashë se kudo tjetër delivery po funksiononte dhe ata më kuptuan.” Sot, Baboon është një histori suksesi që ka lindur në një treg skeptik, ka mbijetuar në krizë dhe ka lulëzuar falë një vizioni të qartë dhe një strategjie rigoroze. “Shumica e startupeve fillojnë me marketing. Ne ndërtuam teknologjinë. Dinim sa para duhej për çdo veprim, kush ishin aktorët, sa i madh ishte tregu, cilat ishin rreziqet,” shpjegon ai. Mesazhi i tij për të rinjtë është i drejtëpërdrejtë: “Në Shqipëri i ke të gjitha mundësitë. Më mirë bëj diçka kot sesa rri kot. Mësoni një gjë që doni dhe bëjeni këtu. Gabimet më të mëdha në startup bëhen me njerëzit , zgjidhni mirë ekipin, kini kujdes me financat, aplikoni strategjitë me përpikmëri.” Ky ishte një udhëtim frymëzues në mendjen dhe zemrën e një sipërmarrësi që guxoi, humbi, fitoi dhe mbi të gjitha, besoi. Një histori që frymëzon, sfidon dhe motivon çdo të ri që dëshiron të ndërtojë diçka me vlerë, pikërisht këtu, në Shqipëri. Ndiq episodin e plotë të “Think Big” me Genti Selenicën dhe zbulo rrugëtimin pas suksesit!